Unë jam një shkrimtar prozaik, por e admiroj poezinë, artin e kompozimit ritmik – të folur ose të shkruar – dhe ajo është imagjinare, me pasione dhe edukuese.
Karl Marx shpjegoj se nen sistemin kapitalist, dhe formës së tij imperialiste, shkaktohet ajo që quhet “neksusi monetar.” Paraja dhe pasuria bëhen gjerat më të rëndësishme, dhe ndoshta arsyeja e vetme, që njerëzit me pushtet të bashkohen! Populli i Ilirisë dhe Shqipërisë nuk ka qenë në gjendje të ulet në poltronat e njerëzve të fuqishëm që bënin ligjin. Fuqitë perëndimore kane liberalizuar tregun duke lejuar sipërmarrësit (shumica janë korporata të mëdha kapitaliste) të trazojnë sa me shume të jetë e mundur një “shkatërrim krijues” Shumpeterian. “Tronditja dhe frika” e Milton Friedman, kapitalizmi shkatërrimtar është një forme për të berë luftë me vendet ku lideret e tyre nuk kane dashur te behen pjese e sistemit neo-kapitalisto- imperialist te fuqive perëndimore. Unë e kame lexuar dhe interpretuar këtë bibër duke u bazuar në një kontekst mbi te cilin ne sot jetojmë.
Nuk pretendoj që Kelmendi të bjerë dakord me mua! Këto poezi përfaqësojnë vështirësitë e një personi në lidhje me dëshirën që ka për tu kthyer përsëri në kohë kur vendi i tij ishte i zhvilluar dhe kishte drejtësi. Megjithëse kjo mund të jetë më shumë një dëshirë sesa një fakt konkret. Duke u kthyer brenda shpirtit, përsëri tek zoti, tek një e kaluar e magjishme, ose fillimi i mundshëm i të tashmes? Ndoshta për tu stabilizuar në neo-spiritualitetin në vend të neo-ekonomise dhe politikës që mund të ndihmojnë në këtë shpërndarje? Kthehet përsëri tek Zoti dhe Nene Tereza të cilët që të dy janë zhdukur? Një kthim në lulen e çelur të Gonxhes, si një Kalkute e vogël? Kjo është shumë e vështirë për të kuptuar se kur kapitalizmi global sekular nuk shikon drejt spiritualitetit vetëm kur do qe të shesë ç’do gjë - ç’do dite gjate gjithë viteve. Atdheu Shqipëri! Kelmendi ngjan me njerëz të tjerë, vendi i të cilëve nuk ka ecur mirë gjatë dekadave të shkuara, por shkon me tutje në histori ku deklaron se ka pasur një kohë në antikitet ku vendlindja e tij ka qenë me pushtet, me drejtësi dhe me shumë vlera trimërie. Ai i thotë lexuesve të tij se kaq shumë shqiptar, dhe njerëz të tjerë në Ballkan, u është dashur të shkojnë jashtë; sidoqoftë, ndoshta do te kthehen në një atdhe më të madh, më të mirë dhe më të sigurt. Lexuesi mund të mendoj se a është e mundur që të gjithë njerëzit që Kelmendi aludon do të gjejnë një atdhe të madh, duke pasur parasysh luftërat që kanë ndodhur së fundi. Përpjekjet e vjetra të fuqive perëndimore për të detyruar këtë rajon të marrë pjese në kapitalizmin global, e bënë të vështirë për të besuar se ëndrra e Kelmendit dhe shpresat e tij do të materializohen se shpejti! Ai pyet ku është kufiri qe ndan trishtimin me Gëzimin? Ai gjithashtu pyet ku e kanë çuar të djeshmen time, ku është hija e vitit të kaluar? Autori ynë ka aftësi të lëviz nëpër kohë të ndryshme: kohë të largëta, antike, jo shumë larg, e tashmë dhe e ardhmja. Kjo ndoshta është forca e tij në lidhje me atë që ai prezanton përpara lexuesve kozmopolitan? Sot Zotërinjtë e botës nuk duan njerëz të zakonshëm me plot lëvdata për të mësuar si të bashkojnë lidhjet në kohë dhe hapësirë. Pa dyshim ata nuk e kanë dashur Marksin me iniciativën e tij për të mësuar njerëzit e kohës së vet të shikojnë pamjen e gjerë të botës, por vetëm një kolazh nga copa të ndryshme “fragmentesh të ndërprera.” Unë e admiroj iniciativën kurajoze të Kelmendi-t për të na ndihmuar të kuptojmë më mirë mendimet dhe shpresat e një poeti që jeton dhe punon në një shtet të caktuar, por njëkohësisht demonstron globalizmin e tij. Peter Tase ka bërë të mundur për në të lexojmë një libër Shqiptar me poezi në gjuhën angleze. Kjo i krijon mundësinë shumë njerëzve për të pasur njohuri rreth vendeve dhe ideve përtej botës anglishtfolëse.
Bravo Peter!
RICHARD A. BROSIO, Ph.D., University of Michigan
Professor Emeritus, Ball Sate University Lecturer and Visiting Scholar at
The University of Wisconsin Milwaukee
POEZIA E JETON KELMENDIT MES ESENCASH HYJNORE DHE KUMTESH
“Si shkohet për te vet vetja” është libri më i ri poetik i poetit kosovar, të përkthyer në 22 gjuhë të botës, Jeton Kelmendit. Tashmë po prezantohet edhe për lexuesin amerikan. Ky vëllim vjen si një botim i poezisë së përzgjedhur dhe na krijon mundësinë për të evidentuar një vizion më të plotë të individualitetit krijues të këtij poeti, duke rendur më sigurt brenda kohës së tij poetike.
Poezia e Kelmendit është një poezi sa e sensibilizuar ndaj akteve më intime të marrëdhënieve njerëzore, po aq edhe ndaj atyre sublime e dramatike. Megjithatë është më e dukshme ndjesia e përftuar nga një përjetim emocional i drejtpërdrejtë. Prirja e tij prej poeti, arrin të transmetojë shumçka shpirtërore përmes futjes së perceptimit poetik të botës, duke mbrujtur e ruajtur një energji emocionale.
Tipar evident, mbase edhe më dominuesi në të gjitha këto poezi të Jeton Kelmendit, është kromatika (ngjyra) emocionale, një si lament, që të shprehurit poetik ia kthen predominacionin emocional; ndjeshmëri që herë është dhembje, herë një pasqyrim i gjendjeve eskstatike.

Njëherësh në këto poezi pikaset një botë e pasur emocionesh që e bën Kelmendin poet me veçanti që nuk i kanë të tjerët si dhe krahas kësaj, një tendencë nga mendimi sintetizues. Pra, mendimi rri në ekuilibër me ndjenjën. Janë dy prirje që vështirë bashkohen sepse janë të ndryshme, por ky poet ia ka arritur t’i shkrijë bukur.
Poezia e Jeton Kelmendit ështe e dendur nga kuptimet. Ai nuk shpreh dhe nuk kërkon lustrën e sipërfaqes, por magmën qe del nga thellësia. Konceptualiteti është i frenuar e i nënshtruar figurës dhe i shërben për ta fuqizuar idenë.
Ajo që e përshkon gjithë këtë vëllim poetik nga fillimi deri në fund, si një koherencë shpirtërore, është konceptimi i shpirtit si një univers, si një botë, si një shtëpi që ka gjithë ornamentet e duhura që prej qiellit e reve të shpirtit, yje, diell, hënë, fusha, male, dete, shtete, shtigje, rrugë e rrugëtime, ditënetë e deri te fryma, mendimi, ëndrra, femra, muza, dashuria, djaloshi, poeti e çka jo tjetër. Brenda kësaj “Bote” të improvizuar, ka një “UN”, një “MUA”, jo thjesht i parë si një un lirik, por si një “ZOT SHTËPIE” i asaj “Botës” së tij. Pra, brenda shpirtit të poetit “ndodh”. Ka një histori e “JETË” shpirtërore. Domethënë brenda tij “ndodh”, edhe pse herë – herë askush nuk është dëshmimtar për këtë pos vetes, madje nganjehere ndoshta as vetë ai. Në këtë kontekst janë një sërë poezish që e ilustrojnë më së miri mendimin e mësipërm. Mjafton të lexojmë poezinë që hap vëllimin, njëkohësisht që i ka dhënë dhe titullin librit, “Si shkohet për te vet vetja”.
“Kapërcej shtete / Fusha e male e dete / Krejt më çka ka / Bota / Rrugëtarë i shoqëruara nga ditë e netë / Mikesha / I shëtis minutat në jetën time / Deri të takoj ty / Hej / Ç’bën këtu / Sa here shëtisë brenda / Vetvetes / Të takoj ty / Tek secili udhëkryq / Nga një shenjë jotja / Nga një dritë e gjelbër / E imja / Në qiell m’ shndrisin sytë tu”.
Po kështu ky univers personal shfaqet edhe në poezi të tjera, si: “Merri me vete gjurmët”: “I rashë tërthorazi mendimit dhe vajta / Pa ditur ku dilet”. Apo te poezia “Frymë lozonjare”: “Pse s’bёhesh mё lozonjare / Se fryma / Të frysh kah qielli im”. Ose tek “Merre pak qiell tëndin”: “Qetësohu e dashur / Qiellin do ta nxjerr / Nga fryma ime e epshit”.
Është rrugëtimi më i gjatë ai i nisur nga destinacioni “vetvete”, për t’u rikthyer aty sërisht.
“Sa i gjatë / Udhëtimi im / Nëpër këto udhë / Që vetëm unë i shkeli / I kapërcej me shpejtësi / Duke u orientuar / Me shenjat tua”. (“Si shkohet për te vet vetja”).
Dhe në këtë rrugëtim në poezitë e Jeton Kelmendit, humbet nocioni kohë duke u shndërruar në një kohë universale, në një tejkohë, në një mbikohë, në një kohë pa kohë: “Ti njeri i çuditshëm / Sa është ora? / Çfarë date është sot? / Muajin e di? / Viti / Është i viti i mbarë”? (“Si shkohet për te vet vetja”).
Një element tjetër shumë i rëndësishëm tek ky vëllim poetik i Jeton Kelmendit, evident në shumë prej poezive të tij, është koncepti estetik i SË BUKURËS që ekziston në një harmoni perfekte me TË MIRËN. Ja si shprehet poeti, gati si një sentencë te poezia “Një herë do të nisen ditët”: “Ndaj së mirës përherë / Duhet të flasim bukur”. Apo te poezia “Bukuria e bukurive”: “Kujt si vashës / I rri mirë bukuria”. Te “Frymë lozonjare”: “Lazdruar kam qenё mbrёmё / Tё kam ёndёrruar / E bukur moj / Mё e bukura e rruzullimit”. Po kështu edhe te poezia “Nё anёn tjetёr”: “M’u kujtua se me njёzeteshtatё / Ka mundur / Tё vijё mё e bukura e botёs”. Duket sikur në të gjitha këto vargje shëtit muza me emrin “E BUKURA E DHEUT”, e bartur që prej maleve e mrizave të Rugovës, për t’u shndërruar në mit poetik. Një mit që trazon duke e bërë hera herës poetin të shfaqet në një ton dilematik, diku me nje pyetje retorike e diku me “Mëdyshjen” që e shoqëron. “Si të të pagëzoj / Me fjalë apo me zemër?” (“Si të të pagëzoj). Apo te poezia “Mëdyshje”: “Të jem flokë, bardhushë / Të lëshohem qafës sate / Apo të jem ajër / Të më thithësh për frymë / Të jem mendim / Ta pushtoj kokën tënde / Çfarë të jem?”
Siç e theksuam më lart, poezia e Kelmendit është një poezi po aq e sensibilizuar edhe ndaj akteve më sublime e dramatike. Qerthull i gjithçkaje është Atdheu si një dimension i ekzistencës individuale të poetit, por edhe si një dimension jete. Në një dialogim hipotetitk me të, i sygjeruar prej vetës së parë dhe të dytë të foljes, në një nyjë të pazgjidhshme mes tij dhe Atdheut, ai shprehet: “Atdhe / Sa herë që të deshëm / Vdiqëm nga pak / Rrënjët i ke në të shtatën shkallë / Të zemrës / Në të shtatën palë të dhimbjes” (“Rrënjë në zemër”). Imazhi poetik është lëvizja nëpër toponimi konkrete: Rugova, Kërrsh të Kuq, Guri i Nikë Dukës, varri i Ramçit, Shehu i Love, Qafa e Hajlës etj.. “Pastaj ia thithi ajrin Rugovës / Dritën Diellit e fjalën gjuhës / Mbështeti kokën në Kërrsh të Kuq...” (“Besa iu bë gur fjale “, “Te mrizet e Dukajve”). Semantika e këtyre toponimeve e pasuar nga Kruja, Iliria, apo personazhet e njohura historike janë semantika bazë që shndërrohen në nënshtresa e mbishtresa të pasura leksikore, por më tepër ideore. Në to ngërthehet e shkuara, e tashmja, e ardhmja, historia, martirizimi, sakrifica mbinjerëzore e shqiptarëve për të ekzistuar. Përmes tyre shprehet njëherësh psika kombëtare, por dhe ajo globale e autorit për ta përcjellë te e nesërmja kujtesën historike të së djeshmes. Për këtë e ndihmojnë simbolet poetike të tradicionit si: zanat, guri, fjala, besa, mrizi, plaku, përrallat. “Besa iu bë gur fjale / Pushoi dhe u nis botës tjetër “ (“Besa iu bë gur fjale”). Por talenti poetik i Jeton Kelmentit sjell një mënyrë origjinale konceptimi dhe strukturimi të gjithë sistemit simbolik, duke e transfiguruar materien estetike, në figura të bukura poetike. Në këtë mënyrë bën që këto poezi me këtë tematikë të fitojnë një dendësi mendimi dhe emocioni, duke dëshmuar në një forcë sintetizuese të artit të tij poetik të Kelmendit.
Te poezia e Jeton Kelmendit ka dritë e reflektohet dritë edhe kur është natë. Në këtë dritë shfaqen të tejdukshme realitetet poetike shpirtërore si në rastin e poezisë “Përtej vetevetes jetonte” (Tani ka ardhur tek vetvetja dhe jeton me engjëjt (Nënës Terezë)).
Ashtu si prezantohen të tejdukshme poetikisht, po ashtu shfaqen sigurt edhe kodet e padëshifrueshme lehtë. Dhe këtu behet evidente esenca hyjnore, duke u shndërruar në esencë kumtesh. Këto kode bëhen bashkëudhëtare në kohë të ndryshme. Bëhen grishëse në deshifrim duke tërhequr vëmendjen e receptuesve në kohë e hapësira të ndryshme, ashtu si dhe në kohët e reja të së ardhmes.
Dhe kjo pjesë e padëshifrueshme, e kodifikuar, esencë hyjnore dhe esencë kumtesh, ndihmon për të krijuar më sigurt profilin e një poeti modern si Jeton Kelmenti, perfaqësuesit më dinjitoz të poezisë moderne mbarëshqiptare, që ka për të “rrojtur” shumë gjatë.
Doktorante IRENA GJONI
0 comments:
Post a Comment