Kelmendi

Loading...

Thursday, February 11, 2010

Nga SHAHBAZE VISHAJ


Bota e librit

Studim i thellë e i gjithanshëm monografik për bohemin e letrave shqipe


(Prend Buzhala: “Gjenitivi i lirikës – poezia e Mirko Gashit”, botoi Rozafa, Prishtinë 2009, fq. 216.)


SHAHBAZE VISHAJ


Prend Buzhala tashmë është profilizuar si studiues e kritik letrar i zellshëm, që ka bërë emër në gjithë hapësirën shqiptare. Veprat e tij studimore e kritiko-letrare janë botuar në Prishtinë, Shkup, Tiranë e gjetiu dhe janë pritur me respekt e kureshtje nga lexuesit dhe nga njerëzit kompetentë të letrave shqipe. Vetëm vitin e kaluar ky studiues botoi dy studime monografike që dallohen për nga thellësia e qasjes e për nga gjerësia e hapësirës studimore në trajtimin e lëndës së mbarështuar: e para “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore – mbi romanet për të rritur të Anton N. Berishës” (botim i Argeta LMG, Tiranë) dhe e dyta “Gjenitivi i lirikës – poezia e Mirko Gashit” botim i “Rozafës” së Prishtinës).

Studimi i fundit monografik “Gjenitivi i lirikës – poezia e Mirko Gashit” dallohet për nga

leximi i thellë, i plotë, i mbështetur e i arsyetuar gjithanshëm nga dora e studiuesit.htu. ky studim mbështetet në një zbërthim e përgjithësim të shumanshëm të lëndës së trajtuar, kësaj ardhe, të poezisë së Mirko Gashit, mbasi autori i zë me themel vlerat e kësaj poezie.


1.

Mirko Gashi ka qenë krijues e poet bohem, që e kishte zërin e vet poetik jo të rëndomtë, jo të zakonshëm. Kjo veçanti e poezisë së tij buron edhe nga mënyra e veçantë e të jetuarit, ku jeta shndërrohet në mbart të veçantë, në art bohemist. Libri ndahet në nëntë kapituj apo LEXIME, kurse struktura e librit e ngërthen edhe një ndarje tjetër: pjesëza e lexime prej numrit 1 e deri në 45 e që përbën një nivel tjetër shtresimi e strukturimi mjaft origjinal të lëndës që merret në lexim. Leximi del si një krye-nocion studimor, i zënë teorikisht nga shumë anë, po edhe i zbatuar praktikisht nga shumë anë te kjo monografi. Në kapitullin e parë “Lexim mitopoetik (Nga gjenitivi i krijimit të kozmosit)” studiuesi Prend Buzhala e analizon kryesimbolin e Mirko Gashit, simbolikën e ujit, të cilin autori e quan Ideal Poetik, nga i cili ideal rrjedhin edhe kuptimet tjera të,poezisë e të poetikës së Mirko Gashit, siç janë raportet mes poezisë, artit e realitetit, miti i krijimit osmologjik e kozmogjenetik i kënduar në artin e poetit tonë bohem. Etj.

Kapitulli i dytë e që e mban titullin “Lexim kontekstual (Kulti i bohemës)” i kushtohet konteksteve kohore kur u krijua kjo poezi, vendin që zë kjo poezi në poezinë tonë përgjithësisht, si dhe fenomeneve social-kulturore, politike, letrare etj që ndërlidhen me këtë kontekst letrar. Del si kapitull jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe me vlerë. Kurse kapitujt “Lexim akvapoetik (Në vorbullën e ujit)”, “Lexim në intermedium (Hapësira eternale e akvapoetikës), “Lexim situacional (Netët e bardha)”, Lexim i subverzionit estetik (Gjarpëri i shtëpisë)”, Lexim paradigmatik”, (Arbor vitae)”, “Lexim fenomenologjik (Reinkarnimi im)”, merren me interpretimin e leximit, tp[ë cilin Buzhala e quan polimorfizëm të leximit, i përkufizuar nga shumë dijetarë e teoricienë bashkëkohorë. Pra lexohen të gjithë librat poetikë të Mirko Gashit veç e veç deri te libri në dorëshkrim “Reinkarnimi im”. Kapitulli i fundit mban titullin “Lexim estezik Requiem për poetin Mirko Gashi/ poezi kushtuar Mirko Gashit nga poetët tanë”. Estezë krijuesi e quan lidhjen artsitike tëe ndërsjellë në mes veprës, autorit dhe receptuesve e krijuesve të artit. Poezitë përkushtimore për Mirko Gashin janë të e poetëve tanë, si Sabit Rrustemi, Tahir Desku, Beqë Cufaj, Mexhid Mehmeti, Milaim Berisha, Esat Loshaj, Kalosh Çeliku, Ramadan Mehmeti, Muhamet Mavraj e Bardh Frangu.


2.

Në këtë monografi autori merret edhe krijimtarinë letrare për fëmijë të Mirko Gashit. Në fund me interes është edhe bibliografia e veprave të botuara, e krijimeve për fëmijë, e përkthimeve, e shkrimeve kritiko-letrare për veprën e Mirko Gashit, e shënimeve për jetën e veprën e poetit, e intervistave të Mirko Gashit, e roleve teatrore e filmike që i ka realizuar Mirko Gashi, e përfaqësimit nëpër panorama e antologji etj.

Do theksuar se studiuesi Buzhala përdor një ligjërim kritik modern, të vjelë nga shumë dije e disiplina bashkëkohore jo vetëm letrare, teorike-letrare apo kritiko-letrare, po edhe nga fushat jashtëletrare studimore e që e ndihmojnë për të zbërthyer e sintetizuar fenomene e dukuri letrare. Prandaj kjo monografi e përbën risinë e vet studimore në letrat shqipe.

0 comments: