Kelmendi

Loading...

Monday, July 7, 2008

Ragip SYLAJ: “Eliksir”

Ragip SYLAJ: “Eliksir”

Shkrimtari Ragip SYLAJ deri tash ka botuar katër libra me poezi për të rritur dhe katër libra të tjerë me tregime. Për punës e tij krijues është shpërblyer disa herë edhe me çmime letrare. Ka botuar këto vepra letrare: “Hije e gjallë (poezi, 1986), “Anatomia e rrënjës” (poezi, 1989), “Obsesioni” (tregime, 1992), “Lisi i shenjtë” (poezi, 1993), “Përhitja” (tregime, 1996), “Mëngjes qumështor me akull” (poezi, 2000), “Humbella e fërgëllisë” (tregime, 2001), “S’kam kohë të jetoj me vdekjen” (tregime, 2004). Libri më i ri i këtij autori është përmbledhja e poezive me titull “Eliksir”, një sintagmë kjo që ka domethënien e mëtimit për ta shpikur lëngun e jetëgjatësisë dhe të rinisë së përjetshme. Sipas Anders Sandberg, kjo ka të bëjë me përlartësimin alkimik, kur gjithçka do të evoluojë në stadin më të lartë të mundshëm dhe universi do të bëhet me të vërtetë i mbaruar (i përkryer).
Libri “Eliksir” i Ragip Sylajt është i strukturuar në këtë formë: i nisur nga poezia programatike me titull “Në ditën e tetë të javës”, lënda e librit më tej është organizuar në ciklet poetike: Ora e qiellit, Pritja e madhe, Antikënga e mllefit, për t’u përmbyllur me poezinë si dedikim nga subjekti lirik për lexuesin e kësaj poezie, me titull “Eliksir”.
Vëllimi i poezive me titull “Eliksir” është libër këngëtimi me përsiatje ekzistenciale për disa nga kuptimet e të jetuarit. Kjo është bërë duke u nisur nga një mëtim i vetënjohjes, nga depërtimi deri te dhembja, synimi i përmbushjes së vakuumeve ekzistenciale me dashurinë hyjnore dhe me atë tokësore. Përkundër ndonjë lektisjeje dashurore dhe ndonjë note shqetësimi krijues, poezia e këtij libri është thirrje për të jetuar, në kohën kur dëshpërimi po e (vetë)vret shumëkënd.
Poezia e Sylajt shquhet për një vokabular të pasur, për një gjuhë të vërgjilltë, për vargun elegant dhe për një lirizëm të kulluar. Poezi e një kontemplacioni filozofik, ajo përbrenda vetes rrok probleme të natyrës refleksive, të dramës së përditshme të gjëllimit të subjektit lirik, dhe të dashurisë si forcë krijuese.
Librin e botoi shtëpia botuese “Rozafa”, Prishtinë, 2007 dhe ka 88 faqe.

Biografia e autorit

Ragip Sylaj (lindur në Sllapuzhan më 1959) me shkrime merret qysh nga bankat e gjimnazit, kurse në periodikun letrar u paraqit në fund të viteve të shtatëdhjetë. Ka punuar mësimdhënës, gazetar në gazetën e studentëve "Bota e re", në të përditshmen "Bota sot", ndërsa tash është gazetar i rubrikës së kulturës në gazetën e përditshme "Zëri" të Prishtinës. Përveç shkrimeve nga fusha e gazetarisë dhe e publicistikës, Ragip Sylaj shkruan edhe poezi, prozë, ese dhe kritikë letrare. Ka botuar këto vepra letrare: Hije e gjallë (poezi), "Rilindja", 1986, Anatomia e rrënjës (poezi), "Rilindja", 1989, Obsesioni (tregime), "Rilindja", 1992, Lisi i shenjtë (poezi), "Fjala", 1993, Përhitja (tregime), "Plejada", 1996, Mëngjes qumështor me akull (poezi), "Rozafa", 2000, Humbella e fërgëllisë (tregime), “Rilindja”, 2001, S’kam kohë të jetoj me vdekjen (tregime), “Rozafa”, 2004, Eliksir (poezi) “Rozafa”, 2007.
Për librin e poezive "Hije e gjallë" është lauruar me çmimin "Hivzi Sulejmani" që jepej për librin më të mirë të autorëve të rinj (1986), ndërsa në vitin 1999 u nderua me "Penën e artë" të revistës për kulturë, art dhe letërsi "Fjala" për poezinë më të mirë, “Kurth për liridashësin”, të botuar midis dy mitingjeve të poezisë në Gjakovë. Po ashtu është fitues i shumë çmimeve në konkurse të ndryshme letrare.
Poezia e këtij autori është përfshirë në antologjinë e Ali Podrimjes, “I kujt je, atdhe” (Sprovë për një antologji, 2), (Prishtinë, 2003), të Ardian-Christian Kyçykut, “Un alfabet al poeziei albaneze" (Një alfabet i poezisë shqipe), antologji e poezisë shqipe në gjuhën rumune (Bukuresht, 2003), etj. Poezi të këtij autori janë përkthyer dhe botuar në gjuhën angleze, rumune etj.

Vështrim letrar

NGJYRIMI POETIK I SEMANTIKËS SË IDEVE, EMËRTIMEVE DHE NUMRAVE

Pikëzime te vepra “Eliksir” e Ragip Sylajt, botim i SHB “Rozafa”, Prishtinë, 2007

Ali R. BERISHA

Synimi i poezisë së sotme është jo ta “fryjë” apo ta gjaknxehtësojë lexuesin me fjalës a me tema të rënda, por ta qetësojë, ta kënaq dhe ta ushqejë e ta dëfrejë atë në çdo aspekt. Kur flasim për diçka që ka të bëjë me shijet lexuesore, alternativat janë shumë të mundshme, prandaj kur përmenden shqetësimet, ato zakonisht janë pasojë e shqetësimeve që kënaqin, sepse poetit kureshtar ia pushon botën ndjenjore dhe shqisore artistike. Poezia në ecjet e saja të sotme është duke e zgjedhur lexuesin, dhe po tregohet tekanjoze dhe kurrnace në këtë rrugë. Nga shkaku se po ndryshon bota e tërë, duhet të pësojë ndryshime edhe bota e poezisë. Këtu qëndron shkaku pse vetëm d u k e t se poezia sot lexohet pak, botohet pak, madje disa vetje bëjnë ballë e thonë edhe se libri poetik “shitet” shumë pak ose fare! Termi shitet është term i një terreni shumë të largët prej poezisë. Ajo lexohet për ta rregulluar tiktakun e shpirtit e jo të barkut. Lexuesit e vëllimit me poezi “Eliksir” të Ragip Sylajt do të pajtohen për sa u tha më lart.
Autor i tetë veprave letrare, Ragi Sylaj (1959) në vëllimin e fundit me poezi me titullin mjaft grishës - “Eliksir”, ka bërë një përmbledhje poezish që lë përshtypje në shumë aspekte, dhe kështu ai e shpie edhe më tej pjekurinë poetike, në krahasim me veprën paraprake poetike “Mëngjes qumështor me akull”. Në “Eliksir” Sylaj e vë vargun pikërisht aty dhe në atë çast kur ai frymon më së shumti si eliksir për atë lexues, i cili poezinë e përdor si ilaç shpirti. Temat poetike: Kosova me vuajtjet e saja, me “dhembjet antologjike” të tipit asketik (shkretëtirës), sizifian, hamletian, frika, koha e rëndë, të cilat përbëjnë disi - do ta quaj aktin e parë të veprës, ose “Antihimni për vetveten” (fq. 32) i cili është një tjetër emërtim për ciklin e parë – Ora e qiellit. Dhe tani pasojnë ato të aktit të dytë, Pritja e madhe, kur poeti ia thotë një tjetër kënge, të cilën e quan “Antihimn për lirinë” melodicitet absurdesh, salvimesh, lutjesh, ligjërimesh (dënesjesh) si pritje e madhe më e pafundme ose e pafund. Pritjet e mëdha sjellin mllef, prandaj edhe poeti, si intermexo ia thotë si në “Antihimn”: “Ligjërimit të gjergjtë” (fq. 51) si refren. Në aktin (ciklin) e tretë, të cilin poeti e quan “Antikënga e mllefit” poeti e fton dashurinë, prandaj ua thotë këngëve erotike duke pikëzuar portrete të dashurish (-ash), net romancash, serenatash, sonatash me përndezje, hamgjitje, dalldisje deri në natën e shtatë, e cila nuk është e fundit as në cikël as në libër. Tri akte – tri përqendrime: e keqja (dhuna), liria dhe dashuria; një trishori poetike, mbase edhe frymë e saj.

Shtatë ditë i duhen edhe dashurisë për t’u bërë

Poeti i ka dhënë shtatë net (poezi) dashurisë për t’u bërë, s’ka pasur nevojë të presë më shumë. Shtatë net-vjet po presim ne kosovarët për të na u bërë dashuria! Universi nuk ka pritur kaq shumë. Po të dilte dikush e të thoshte: “Le të krijohemi”, Zotat do të thoshin me siguri: “Le të bëhet!” sepse Eliksiri, ky ilaç i gjithmonshëm, është ilaç për të gjithë.
Le t’i kthehemi edhe një herë strukturës së librit: cikli i parë ka 3, 7, 8 poezi, i dyti 8, 7, 3 poezi, kurse i treti prapë 3, 7, 8 poezi dhe kështu do të na krijohet një rruzare poetike me të cilën do t’i këndojmë lutjet tona. Në 31 mënyra na duhet ta themi këtë lutje me 31 poezi, për ta përfunduar me një majë me titullin Eliksir, me të cilën edhe aminohet lutja: “Paqe dhe lavdi … nëpërmjet të të cilëve “më do Zoti dhe m’i ndriçon rrugët e pafundme të fatit. Amin.” (fq. 83) Kështu përfundon përmbajtësisht dhe strukturalisht vëllimi me poezi “Eliksir” i Ragip Sylajt, i cili për nga struktura, motivet, brendia, e veçmas për nga stili me theks shumë të lartë simbolik e meriton një vlerësim të lartë letraro-artistik. Adhurimi ndaj hapësirës jetësore dhe mendimore (atdheu me tokën dhe qielli me Perëndinë) respekti ndaj sakrificave sublime njerëzore, dashuria ndaj çdo gjëje të bukur janë dhurata të Perëndisë. As Ajo as poeti ynë nuk lejojnë që ato të jenë gjithmonë vetëm sfida. Poetët e thonë atë që e thonë edhe Perënditë, kështu që edhe këto poezi na sjellin qetësim shpirtëror e lirësi ndjenjore.

Lexim i ngadalshëm - brendësisë poetike

Në ciklin e parë të këtij vëllimi “Ora e qiellit” nuk është fjala për orën – sahat, por për orën – dhuratë e perëndisë, e cila i prin, e ruan dhe e bekon atë në punët e mira të kësaj bote, qoftë edhe kur i kundërvihet dhunës, siç ka bërë Muji – kreshniku ynë në lashtësi. Duke biseduar me demonin njeri, në njërën prej poezive të para: “Nganjëherë je më djall se djalli” (fq. 11), “Nganjëherë je më njeri se njeriu” (fq. 12) “Në vend se të shikosh veten” prish shpirtin e njeriut, i mbjell aty mllefe, keqësitë e shpirtit, mendimet ia bën tym, poeti nuk e zgjat me të por i kthehet përjetësisë që është bukuria e vuajtjes saqë veç “Hyji i Qiellit na mban të mos rrëzohemi” (fq. 16). Vuajtjetari me vuajtjet sizifike ëndërron Pegazin për të fluturuar deri te Diogjeni për ta pyetur: “Ku mbeta Diogjen më thuaj?!” (fq. 21) Vjen koha kur poeti artikulon “Dola nga palca e vuajtjes” por nuk shpëton nga vuajtja tjetër, ajo e dashurisë dhe kontemplacioneve filozofike, që kjo botë i ka aq të shumta saqë insh’allah: “Dëgjova se përditë po fejohesh me të vërtetat e Zotit” (fq. 82).
Liriciteti i këtij poeti vrullshëm shprehet në ciklin e dytë dhe të tretë ku meditimet janë më të lehta, me shprehësi më të kollajshme, veçohen nga freskia, ajrimi dhe tejmendimi. Pastërti e sinqertë. Gjithë ato që i mendon njeriu dhe njerëzimi me shfrime për të kaluarën, mesazhe për të tashmen dhe dëshira për të ardhmen i kanë ndihmuar poetit të krijojë poezi të gjithëkohëshme dhe pa kufizim ndjenjash. Fundi i fundit edhe krijimi është bukuri: “Bukuria më absolute e letërsisë është vetë krijimi”, - thotë Kadare.
Ky krijim i Sylajt mbështetet në një thukti të mrekullueshme e sidomos një thukti sentenciale, për t’i dhuruar lapidaritet vargut. Thuhet se sentenca si reduktim poetik i shprehjes mendimore, është jo e mirë për poezinë, por te ky poet, kam bindjen se do të na dalë një sentencialitet i theksuar ngjashëm si te poezia e Fahredin Gungës, Azem Shkrelit etj. Fjalë e varg, fjalë e figurë – krijojnë veçori të rrumbullakuar stilore, stil ky me të cilin kemi të bëjmë në këtë vepër të re poetike, e të cilit i shihet ngjitja drejt majash.
Një përjetim të veçantë ndjejmë kur i lexojmë poezitë e nënciklit “Shtatë net i dehur dashurie” (fq. 68) që do të mund të përbënin një dorë poezish me ndjesi shumë të larta erotike, të cilat për nga mbresëlënia u ngjasojnë erotikëve tanë të dalluar që nga Naimi dhe (nuk e di se sa do ta ketë lexuar poeti!) deri te Arben Duka: “Gjiri i virgjëreshës” (Tiranë, 2006). E ndjej se kemi të bëjmë me një ndërndikim të këtyre dy poetëve – e nëse jo ndërndikim, atëherë vlen ajo thënia se poezia emotivisht strofullon edhe në mënyrë spontane çdo kund ku ajo e gjen zemrën e dashuruar. Të themi se në këtë ‘shtatëshe’ kemi edhe poezi jo edhe aq të ‘aqta’, sidomos ndonjë nga strofat e “Natës së katërt” dhe “Përndezje Magjike”, që sigurisht janë pasoja të ndërskamcave të rimës.
Duke i rënë në fund kësaj përmbledhjeje poetike të Ragip Sylajt e pasi të ndalemi pak më shumë te proza poetike “Eliksir” krejtësisht në fund, do të bindemi se kemi pasur rastin të shijojmë një tufë vargjesh lirike të thëna nga brendësia shpirtërore me një gjuhë tonalitetesh të buta në lexim, por të thella në mbresëlënie si një “balsam shërues për shpirtrat e lënduar” (fq. 83).

1 comments:

webmaster said...

http://www.You4Dating.com

Vend Takim Online per te Gjithe.

1.Websiti yne eshte drejt dhe i shpejt per te Gjeture Shoke (Shoqe),Partner apo Fatin tuaj Online
nepermes Internetit,Deshironi te Kaloni kohe te Mire Vizitoni Websitin Tone.

2.You4Dating eshte eshte Websit ne Internet per ta Gjeture Fating dhe eshte 100% Falas.
Ne ju lejojm ju qe te hapeni Konton tuaj Falas dhe te Lejoni dhe Bllokoni Kedo sipas deshires suaj.

3. http://www.You4Dating.com , eshte website i ndertuar nga Shqiptaret e Anglis ku te gjithe ju jeni te Mireseardhure,You4dating.com
eshte website Profesional i Dezajnuar per te gjithe dhe Vizitoret kane Kontroll te Plote te Kontos se tyre: View messages
View messages ,Address Book , My data,My profile,Who seen profile,Change profile,Remove profile, Search,All users,Users online:,Visited profiles,Matchmaker, Options,Options,Change password,Ban list,My Favorites dhe shum te tjera.

4.You4Dating.com eshte Website Internacional per te gjithe pa marr parasysh se cfare Gjinie apo Feje Jeni,te gjith jeni te Mireseardhure.

5.You4dating.com eshte 100% Falas.Keni shkuar deri ketu s'ju pengon asgje dhe s'ju kushton asgje qe ju te Regjistroheni,Vizitoni Websitin qe te Filloni Takimet me Personat qe ju Deshironi,Faleminderit dhe Respekt.

http://www.You4Dating.com
-------------------------
http://www.You4Dating.com
-------------------------
http://www.You4Dating.com .